Në emër të qeverisë për të rënin e rradhës në rrjetën e SPAK foli Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Edhe për Jorgo Goron, kryebashkiakun e dorëhequr të Himarës pasi iu vunë prangat për akuzën e shpërdorimit të detyrës, socialistët thanë atë që thonë gjithnjë sa herë njërit prej të tyreve i duhet të përballet me drejtësinë.

“Qëndrimi ynë është i qartë, neve nuk komentojmë asnjëherë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka gjithë mbështetjen tonë për të vijuar dhe për të çuar përpara, në një nivel tjetër madje luftën kundër korrupsionit dhe çdo lloj forme tjetër të shkeljes së ligjit”, tha Balla.

Me mbetjen pa kryetar, Këshillit Bashkiak të Himarës i duhet të mblidhet për të vendosur pasuesin e Jorgo Goros. Mbledhja e parashikuar është të premten e 29 marsit dhe ende nuk është përcaktuar nëse në të njëjtën ditë do të vendoset edhe për kryebashkiakun në detyrë. Do të jetë vota e këshillit bashkiak që do të përcaktojë se kush nga dy nënkryetarët e bashkisë Himarë do të ulet në karrigen e lënë bosh, Blerina Bala apo Pervin Gjikuria.

Po në emër të qeverisë Taulant Balla garantoi respektim të ligjit për qeverisjen vendore, duke përjashtuar çdo skenar tjetër që Himara të drejtohet përkohësisht nga një prej këshilltarëve të “Bashkë Fitojmë”, koalicioni që fitoi në vendoret e 2023-it apo nga prefekti i sapoemëruar i qarkut Vlorë, Vangjel Tavo.

“T’ia lemë vendimarrjen institucioneve që u takon me ligj ushtrimi i kësaj vendimarrje. Do të ishte e pavend që unë të jepja edhe komente për këtë vendim që i takon këshillit bashkiak të Himarës”, u shpreh Taulant Balla.

Historia me kryebashkiakë që u bë shkak edhe për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Greqi, aq sa kjo e fundit mban të bllokuar çeljen zyrtare të negociatave anëtarësuese të vendit tonë me Bashkimin Evropian, nuk mbyllet këtu.

Vendimi i formës së prerë për kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri do t’i japë fund edhe debatit një vjeçar për drejtimin e Himarës. Nëse gjykata e apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë që e dënoi Fredi Belerin me 2 vite burg, qyteti bregdetar do të shkojë në zgjedhje të parakohshme./vizinplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *