Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua me zyrtarin e lartë të DASH Brendan Hanrahan në rezidencën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Sipas komunikatës së kryeministrisë, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri Kurti theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Gjithashtu kryeministri shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, njoftoi zyra e kryeministrit Kurti.
Ndërkohë, gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet politike, bashkëpunimi rajonal dhe situata me Serbinë.
“Gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe. Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim”, thuhej më tej.
Kurti është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë ai ka realizuar takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Uashington.
Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
/vizionplus.tv





