E enjte, 22 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Kurti takon udhëheqësit e Luginës, akuzon Serbinë se bllokon fondet për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin

Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e Sanxhakut u bënë pjesë e një tryeze diskutimi në Prishtinë, ku u ngritën shqetësimet për diskriminimin institucional dhe bllokimin e mjeteve financiare për projektet e tyre. Ata u priten nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Në takim me përfaqësues politikë e organizata civile nga këto treva, Kurti, tha se për Kosovën mbështetja ndaj shqiptarëve atje është përgjegjësi e vazhdueshme.

Reklamë

“Kemi dy transferta të bllokuara në janar të këtij viti, me vlerë prej 304.500 euro, dhe në prill të po këtij viti, me vlerë prej 1.837.500 euro, apo më shumë se gjashtëfishi i shumës paraprake. Këto janë tri mjete që mbulojnë një arkitekturë të tërë programesh të rëndësishme për jetën e shqiptarëve. Janë 78 projekte të aprovuara në art, kulturë, dhe trashëgimi kulturore. Janë 23 projekte në sport. Janë 13 projekte për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare. Janë 7 organizata që punojnë me fëmijët me nevojat të veçanta. Janë edhe 15 aplikantë të arsimuar në fushën e informimit dhe të mediave në gjuhën shqipe”, tha Kurti.

Kurti u ndal edhe te vizita e fundit e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në këto zona, duke e cilësuar si tregues të klimës me të cilën përballen shqiptarët atje.

Reklamë

Sipas tij, dallimi në trajtimin institucional të shqiptarëve dhe komunitetit serb është dëshmi e një problemi më të gjerë politik.

“Por shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë, shihet në sjellje, shihet në mënyrën se si reagon shteti. Pikërisht një javë më parë, kur presidenti i Serbisë, Vuçiç, vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe në Medvegjë, në Bujanoc dhe në një fshat të Preshevës, duke përdorur gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve, dhe më pas është dëgjuar premtimi nga Vuçiçi për punësim nga BIA për 48 orë. Dhe ky kontrast është i rëndë. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nënpërfaqësim”, tha ai.

Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si diskriminim sistematik, duke thënë se parimet evropiane për sundimin e ligjit, barazinë dhe mosdiskriminimin duhet të vlejnë edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ai tha se Kosova do të vazhdojë ta dokumentojë dhe ndërkombëtarizojë këtë çështje, në mënyrë që ajo të adresohet edhe në Bruksel, Uashington dhe Strasburg.

Në fund, Kurti u shpreh se mbështetja për shqiptarët e këtyre trevave duhet të jetë e vazhdueshme dhe e shoqëruar me mekanizma konkretë institucionalë e buxhetorë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë