Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë, është duke zhvilluar një mori takimesh.

Ai ka takuar edhe Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.

Kurti para Munsch ka shprehur synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike.

“Diskutuan për situatën e sigurisë në vend, me theks te siguria e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes me KFOR-in. Kryeministri Kurti tha se ka komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it në Kosovë, dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në synimin e saj për anëtarësim në NATO, duke veçuar faktin që Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje në përputhje me kriterin e NATO-s prej 2% të Bruto Produktit Vendor”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti ka shprehur falënderim ndaj admiralit Munsch dhe NATO-s për bashkëpunimin e afërt, kontributin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se autorët e këtij sulmi ende janë të lirë në Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *