Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

Sipas kryeministrit, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.

Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.

“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”.

Ai ka thënë se nga provat për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.

“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e Serbisë”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Radoiçiqin se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri në orët e pasdites, kur autoritetet pritet të marrin një vendim.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *