Ashtu siç kishte lajmëruar, kryeministri Albin Kurti priti në një takim komandantin e KFOR në Kosovë, Anxhelo Mishele Ristuçi dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunar Vigemark.

 

Zyra e shtypit bëri të ditur se gjatë bisedës është rënë dakord për heqjen e barrikadave dhe rikthimin e lëvizjes së lirë.

 

ZYRA E KRYEMINISTRIT

 

Në takim u diskutua lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend. Gjithashtu pati pajtim për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

 

Po sot, në Kosovë është mbledhur edhe këshilli i sigurisë kombëtare. Në mbledhje është riktheksuar se policia do ti japë përgjigjen e duhur grupeve që mbajnë nën tension veriun.

 

“U tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”

 

Prej 17 ditësh  veriu i Kosovës vijon të jetë i bllokuar nga barrikadat e vendosura nga serbët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *