Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale: Nëse e kanë të rëndësishme dëshminë time, duhet të vijnë tek unë

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhej të paraqitej sot në Prokurorinë Speciale.
Por pavarësisht se dëshmia e tij do të duhej të jepej në orën 10:00 të mëngjesit, ai ka refuzuar të shkojë. Një ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës njoftoi se Kurti, në orën 10:00 (4 mars), do të ishte i pranishëm në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit.
“Nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time, duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Kurti nga Gjilani.
Më herët shefi i qeverisë është shprehur se pret që Prokuroria të shkojë në zyrën e kryeministrisë për t’i marrë dëshminë për rezervat shtetërore.
Në thirrjen e dhjetorit për paraqitjen e Kurtit në Prokurori thuhej se nëse refuzohet dhënia e dëshmisë pa arsyetim ligjor, ai mund të dënohet me gjobë, e nëse vijon me të njëjtin qëndrim edhe pas gjobës, mund të paraburgoset.
Si erdhi puna deri këtu?
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që detyron Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.
Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri. Zyra e tij ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.
Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën, pa përmendur ndonjë emër, ndërsa refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori e arsyeton me deklaratën se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror” që kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.
Në linjë të njëjtë me të është edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Për të kërkesa e Prokurorisë ndaj Kurtit është politike.
“Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Por, më duhet të them, kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend, opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale, por nuk mund të na ndalin”, ka deklaruar Haxhiu më 26 shkurt, pa përmendur dikë me emër, dhe pa ofruar ndonjë dëshmi për pretendimet e bëra./vizionplus.tv




