Kurti në shtëpinë e Jasharëve: Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend
Në 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe, raporton Vizion Plus, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kurti tha se vrasja e familjes Jashari nga forcat serbe zgjoi ndërgjegjen e ndërkombëtareve.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTËR NË KOSOVË
“Erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit e bashkimit ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila me 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviçit”
Ende nuk është vënë drejtësi për viktimat e forcave serbe, por Kurti theksoi se gjaku dhe emri i tyre nuk nuk mund të harrohen.
“Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikurse edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë ane mbanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthemi e rikthehemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se nga vijmë dhe për ta ditur më mirë se kah duhet të shkojmë. Lavdi Jasharave dhe gjithë dëshmorëve e martirëve”
Bombardimet e forcave te aleancës mbi serbi i dhanë një tjetër hov lëvizjes për çlirimin e Kosovës.




