Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja për presidentin me Lidhjen Demokratike të Kosovës qëndron, edhe pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër nominimit të Bekim Sejdiut për president.
Pas mbledhjes të Grupit Parlamentar të LVV-së, Kurti tha se të 53 deputetët mbështetën marrëveshjen me LDK-në, të bërë publike një ditë më parë.
Megjithatë, njoftimi i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë deputetë të tij s’e përkrahin Sejdiun, sipas Kurtit kërkon që të ketë takime të reja.
“Duhet të ritakohem me Abdixhikun edhe me kryesinë e LVV-së sepse situata ka ndryshuar krahasuar me takimin që kishim kur kishim 80 deputetë”, tha ai për gazetarët.
Duke komentuar vendimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, Kurti i akuzoi ata se po synojnë që të shkaktojnë zgjedhje të reja – që do të ishin të katërtat parlamentare nga shkurti i vitit 2025.
“Për bindjen time të fuqishme dhe të deputetëve, e konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde këtë sjellje të këtyre gjashtë deputetëve….duket që ka dëshirë të shkojmë në zgjedhje”.
Ai tha se nuk mund të përsëritën pafundësisht zgjedhjet, duke theksuar se “rezultati nuk do të ndryshojë”.
Sipas Kurtit, kundërshtimi i deputetëve të LDK-së ka më pak të bëjë me kandidaturën e Sejdiut dhe më shumë me Qeverinë që udhëheqë ai.
Mbledhja e Grupit Parlamentar të LVV-së u mbajt pak pasi Abdixhiku përfundoi mbledhjen me Grupin Parlamentar të LDK-së.
“Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Ai shtoi se këtë po i bëjnë dëm “të pariparueshëm gjithë procesit” dhe “pashmangshëm dhe panevojë, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, e dërgojnë vendin në zgjedhje”.
Abdixhiku tha se ka vetëm 12 deputetë në dispozicion dhe me ta do të shkojë në sallë kur të votohet për president, duke shtuar se deri në fund do të bëhen përpjekje për numrat për presidentin.
“Unë me 12 deputetë, vetë i 12-të do të jem në sallë kur të votohet. Deri në momentet e fundit do të bëjmë përpjekje”, tha ai.
Abdixhiku tha se i kërkon falje popullit të Kosovës, që me “me gjithë vullnetin e mirë nuk po arrijmë të japim stabilitet për shkak të një politike të përçudnuar”.
“Kam munda, nuk mundem më tepër me këtë përçarje, me këtë Grup Parlamentar”, tha ai, duke shtuar se nuk e kupton zellin që të shkohet në zgjedhje.
Ai i akuzoi gjashtë deputetët që dolën kundër nominimit të Sejdiut se kanë vepruar për interesa personale.
“Shumica prej këtyre figurave kanë përvojë të jashtëzakonshme politike në LDK dhe do të duhej të kapërcenin veten. Kjo s’ka qenë garë për mua, s’ka qenë betejë me mua. Beteja me mua ka përfunduar në Kuvendin e LDK-së. Kjo ka qenë betejë për Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se do të merren masa ndaj gjashtë deputetëve, por nuk tregoi se cilat do të jenë ato.
“Do të merremi me vendime, por kjo s’është tema. Por, gjithsesi, secili njeri që s’e respekton vendimet e kryesisë dhe të organeve, më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së. Nëse asgjë tjetër, do të duhej ta dorëzonim mandatin e deputetit”, tha ai.
Abdixhiku tha se Bekim Sejdiu do të ofronte balancë institucionale. Ai tha se refuzimi për ta mbështetur këtë kandidaturë, do të jetë “me pasoja edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”.
Megjithatë, akuzave të Abdixhikut, iu kundërpërgjigjën deputetët që dolën kundër vendimit për nominimin e Sejdiut.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ajo është zgjedhur jo për të qenë numër në Kuvend, “e as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”.
“Për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”, shkroi ajo, duke shtuar se nuk dëshiron zgjedhje të reja, por nuk mund të votojë pro një marrëveshjeje që prezantohet si “fakt i kryer”.
Një ditë më parë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, po ashtu publikisht tha se është kundër Sejdiut, duke thënë se ai nuk pasqyron interesat parimore dhe politike të LDK-së.
Ndërkaq, pas mbledhjes të deputetëve të LDK-së, Hoti u shpreh qartë se nuk do të qëndrojë në sallë për të bërë kuroumin për votimin për president.
Ndërkaq, deputetja tjetër që ka dalë kundër Sejdiut, Janina Ymeri tha se me gjithë “pasojat për pozitën time brenda partisë” ka vendosur që të mos votojë për “zgjatjen e pushtetit” të Kurtit.
“Kandidati për president, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kujtim Shala tha se nuk ka votë për Sejdiun pasi “gjithmonë” është “kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin”.
Këto zhvillime vijnë teksa, Lëvizja Vetëvendosje mbrëmjen e sotme po mban mbledhjen e Grupit Parlamentar për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Qëndrimi pas mbledhjes të Grupit Parlamentar të LDK-së ishte i ndryshëm nga ai i kryesisë.
Kryesia e kësaj partie u mblodh paraprakisht gjatë ditës dhe aty u miratua marrëveshja e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe iu bë thirrje deputetëve të saj që ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.
Në deklaratë, LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut në kryesi u mbështet “me unianimitet të plotë”.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u tha në deklaratë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.
Sipas vendimeve të Kuvendit partiak të LDK-së, të mbajtur në fund të korrikut, thuhej se të gjithë anëtarët, zyrtarët dhe të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së, “obligohen t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e miratuara nga organet” kompetente të partisë.
Aty po ashtu u tha se organet partiake duhet të sigurohen që vendimet do të zbatohen dhe kur është e nevojshme “të ndërmarrin masa statutare ndaj shkelësve”.
LDK-ja tha se nominimi i Sejdiut përfaqëson “qëndrimin zyrtar dhe institucional të LDK-së” dhe është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së.
Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Me 12 votat – nga 18 deputetë sa ka LDK-ja – që Abdixhiku tha se ka, nuk arrihet pragu prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit.
Dy partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaturën e prezantuar nga LVV-ja dhe LDK-ja./REL





