Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga KFOR që të urdhërojë Serbinë për lirimin e tre policëve të arrestuar.

 

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Kurti thekson se KFOR nuk duhet të heshtë, por duhet të dënojë publikisht këtë akt.

 

Sipas Kurtit, tre policët janë arrestuar 670 metra larg kufirit me Serbinë, ndaj kjo sjell shkeljen e integritetit territorial të Kosovës nga njësitë serbe.

 

Kjo pengmarrje sipas tij është një shenjë hakmarrjeje për arrestimin e kreut të grupit kriminal serb nga forcat e Policisë së Kosovës.

 

“KFOR të urdhëroj Serbinë që të kthej policët e rrëmbyer dhe të dënojë këtë shkelje flagrante të integritetit tonë territorial. Dje është shkelur pika 4 e marrëveshjes së Kumanovës. KFOR nuk do duhet të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj kësaj. Nëse KFOR  shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë i bie të mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare që i është dashur të dënojë publikisht. Agresioni kidnapues i tre policëve në territorin tonë është bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj aksioneve për sundim të ligjit në Republikën tonë, tha Kurti.

 

Nga ana tjetër, Serbia pretendon se tre policët janë arrestuar në territor serb. KFOR ka deklaruar se është në kontakt me të dyja vendet, por ende nuk ka thënë fjalën e fundit lidhur me ngjarjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *