Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, takoi mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Në një deklaratë të zyrës së tij bëhet me dije se Kurti i ka kërkuar Kallas që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
“Kryeministri e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi zyra e kryeministrisë.
Në tryezë u diskutuan edhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, thuhej më tej.
Po ashtu shefja e unionit dhe kryeministri Kurti kanë biseduar mbi procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë. Më herët, Kallas u takua edhe me liderët e partive opozitare.
/vizionplus.tv





