Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi të mërkurën se ka sfida në marrëdhëniet me dy të dërguarit atë amerikan dhe evropian, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, lidhur me situatën në veri të vendit, por nuk la të kuptohet se do të veprojë në bazë të kërkesave të tyre për uljen e tensioneve në zonë.

 

I kritikuar ashpër nga diplomatët perëndimorë për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri të Kosovës, kryeministri Kurti tha sot se nuk beson që gjërat mund të zgjidhen me trysni.

 

“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyeshme”, u tha ai gazetarëve gjatë një veprimtarie në Mitrovicë.

 

Një ditë më parë zoti Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara kanë “disa sfida në marrëdhëniet dypalëshe që kanë të bëjnë me kryeministrin”.

 

Ai e cilësoi konfuz qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër këshillave amerikane për të mos dërguar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave në veri që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe.

 

Zoti Escobar bashkë me zotin qëndruan në Prishtinë dhe në Beograd dhe kërkuan uljen e tensioneve, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

 

Kryeministri Kurti tha se është në favor të zgjedhjeve të reja në komunat veriore, por siç tha, pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit.

 

Sundimi i ligjit tha ai nënkupton vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmet ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s, policisë së Kosovës dhe gazetarëve që po mbulonin zhvillimet në veri, ku protestat e qytetarëve serbë të Kosovës, që po vazhdojnë që nga 26 maji, u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar.

 

“Këto grupe kriminale duhet të përballen me drejtësinë për krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së veturave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore”, tha kryeministri Kurti duke shtuar se “në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, mund të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer e demokratik për zgjedhjet e parakohshme, sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar”.

 

I pyetur nga gazetarët mbi kërkesat e diplomatëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Kurti tha se Kosova po tregohet e vëmendshme dhe e kujdesshme meqë kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet e saj me Serbinë.

 

“Kur Shtetet e Bashkuara në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe kërkojnë diçka prej nesh, nuk kemi mëdyshje të themi po. Mirëpo, kur i dërguari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Serbinë, ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm, por natyrisht gjithnjë bashkëbisedues, konstruktiv e të përkushtuar”, tha ai.

 

Më herët gjatë ditës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në komunat veriore, nëse komuniteti serb që është shumicë në to nënshkruan peticion me kërkesë të tillë, gjë që do të siguronte pjesëmarrjen e tij në zgjedhje.

I dërguari amerikan tha ndërkaq në Beograd se shpreson që zgjedhjet të mbahen dhe “serbët të marrin pjesë në to pa kushte”. Ai tha se ka marrë zotimin e presidenti serb Aleksandar Vuçiç se do ta përdor ndikimin e tij për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *