Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura me liderët e Ballkanit Perëndimor në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ishte nën një presion të jashtëzakonshëm. Megjithatë,  Kurti pranoi se nuk e kishte takuar drejtpërdrejt presidentin Vuçiç.

 

ALBIN KURTI

 

KRYEMINISTER I KOSOVES

 

“Unë nuk e kam takuar atë. Ne, liderët e Ballkanit Perëndimor kemi qenë të ftuar në këtë tryezë të rrumbullakët. Ka të bëjë me rregullat e Chatham House, kështu që nuk është e ndershme të flasim tani çfarë ka ndodhur aty. Por pas asaj që kam thënë, ai ka qenë në presion, presion të jashtëzakonshëm. Dhe më pas ka qenë ky reagim me nervozizëm”

 

I pyetur nga Radio Europa e Lirë, Kurti bëri të qartë se Kosova është e vendosur të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, por pas vendosjes së reciprocitetit mes dy vendeve.

 

“Ne do ti heqim tarifat sapo të zbatojmë reciprocitetin me Serbinë, si një përparim të mirë për marrëdhëniet konstruktive fqinjësore.  Dialogu do të rifillojë. Ne si qeveri e re kemi legjitimitet të ri, por në anën tjetër duhet të presim qeverinë e re në Serbi. Ndoshta më pas do të na duhet të nisim dialog të ri, duke vendosur theksin te parimet e mira dhe një dialog të përgatitur mirë. Një proces solid, ashtu që palët të mos largohen lehtë”

 

Për këtë çështje, gjatë bisedimeve në vazhdën e takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti ka paraqitur  tre parime për bisedime me Serbinë, duke kritikuar tërthorazi presidentët Thaçi dhe Vuçiç.

 

Sipas tij, “Nuk ka marrëveshje pa dialog. Nuk ka dialog me harta dhe nuk duhet të ketë presidentë rreth hartave”.

 

“Deutsche Welle”, duke cituar burime nga tryeza e diskutimit, shkruan se “nervozizmi i presidentit Vuçiç ka ardhur pas deklaratave të Kurtit se “bota e ka ndihmuar Kosovën të çlirohet nga Serbia, tani duhet të ndihmojë Serbinë të çlirohet nga Kosova”.

 

Një tjetër pikë e nxehtë e përplasjes mes dy liderëve ka qenë edhe çështja e Minisshengenit, për të cilin kryeministri I Kosovës është shprehur se “vendeve të Ballkanit i duhet tani një ‘Mini-Plan Marshall”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *