Kryeministri Albin Kurti duket i palëkundur në qëndrimin e tij për të lejuar krerët e komunave në veri që ta ushtrojnë funksionin e tyre në godinat komunale.

 

Ndonëse qeveria e tij ka marrë paralajmërime dhe kritika të vazhdueshme nga ndërkombëtarët, Kurti është përgjigjur duke theksuar se krerët e komunave janë legjitim dhe demokracia nuk mund të mbahet peng.

 

Kryeministri i Kosovës ka nënvizuar se shteti që ai drejton është properëndimor dhe ushtrimi i detyrës së krerëve të zgjedhur nuk cënon paqen.

 

“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ulët në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim. Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore“, tha Kurti.

 

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje për një hap pas të vendimit të Kurtit, ndërsa ka paralajmëruar pasoja.

 

Shteti i Kosovës u anulua nga pjesëmarrja në stërvitjet Defender Europe 2023, ndërsa SHBA thekson se kjo është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *