Subscribe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i heqin targat e përkohshme të automjeteve si pjesë e zgjidhjes së situatës së krijuar ditëve të fundit në veriun e Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë filluan së zbatuari, siç thanë, reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.

“Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze e kjo është le t’i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë që qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e më sa më pak vonesa”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën (22 shtator).

“Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha Kurti.

Çështja e targave është e rregulluar me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *