Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti foli pas takimit me kreun e LDK, Isa Mustafa dhe ambasadorët e QUINT-it. Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se marrëveshja për qeverinë e re nuk mund të arrihet nëse nuk ka përafrim të dyanshëm.

 

“Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje.”

 

I pyetur nëse takimet me Isa Mustafën do të vijojnë edhe përgjatë kësaj jave që ka mbetur si afat kushtetues për të paraqitur qeverinë e re në Kuvend, Kurti deklaroi se do të bëjë çtë jetë e mundur që të finalizohet marrëveshja.

 

 

“Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm.”

 

Pavarësisht se këtë të martë në takim morën pjesë edhe ambasadorët e QUINT-it, sërish palët nuk e gjetën dot gjuhën e përbashkët për koalicionin qeverisës. Albulena Haxhiu nga LVV deklaroi pas takimit se LDK vijon të këmbëngulë tek posti i kryeparlamentarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *