Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, me kryeministrin e vendit që tha se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.

 

“Për arsye të sigursië, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai.

 

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë “të rrëmbyer”, Kurti u bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”.

 

“Rasti i djeshëm ishte agression ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim”, tha kryeministri.

 

Këto komente Kurti i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

 

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

 

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

 

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

 

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

 

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

 

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

 

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *