Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të sanksionuar krimin në veriun e vendit, duhet të pasohet me veprime të sistemit të drejtësisë për të hetuar dhe dënuar pjesëtarët e grupit.

 

Ai i bëri këto komente një ditë pasi që Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi udhëhiqet nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesariut e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

 

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

“Ne e kemi mirëpritur, është një vendim shumë i mirëseardhur i cili po tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të ketë vend jo vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, por në çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. si puna e Kosovës. Por, ajo që duhet të bëhet në vijim e kjo është punë e jona, është që sistemi i drejtësisë të përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu tek ne. Se fundja bëhet fjalë për buxhetin e shtetit tonë, bëhet fjalë për të drejtat, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve të Republikës”, tha kryeministri, Albin Kurti.

 

Sanksionet amerikane u mirëpritën edhe nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Jossep Borrell, të cilat i quajti një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Zoti Borrell shkroi në Twitter se “shpërberja e rrjeteve kriminale ndërkombëtare kontribuon në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe përmirëson sundimin e ligjit në të gjithë rajonin”.

 

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane, Nicholas J. Giacobbe, tha sot gjatë një debati të organizuar në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupssionit se për Shtetet e Bashkuara mbetët përparësi mbështetja e Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

 

“Korrupsioni është problem global që mund të dëmtojë demokracitë dhe sundimin e ligjit. Lufta kudnër tij kërkon përkushtimin e të gjithë pjesëtarëve të të shoqërisë për të mbrojtur institucionet dhe nxitur llogaridhënien. Përkushtimi i Kosovës është thelbësor sepse pa gjykata të efektshme dhe të pavarura nuk mund të ketë përparim të investimeve, tregtisë dhe zhvillimit. Institucionet dhe gjykatat kurrë nuk duhet t’ju shërbejnë interesave individuale. Zyrtarët publikë duhet t’i kryejnë detyrat e tyre me transparencë dhe të sigurojnë që interesat e tyre nuk dalin mbi interesat e popullit”, tha ai.

 

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pushteti politik dhe financiar ka qenë i përqendruar rreth qeverisë dhe se sipas tij fushat më të korruptuara janë konsideruar prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private.

 

“Ajo që tashmë ka ndodhur në Kosovë është se korrupsioni nuk mundet më, pas 14 shkurtit, të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me nivelin e lartë të ndërmarrjeve shtetërore, sepse ne kemi zgjedhur një qeveri me profesionistë, njerëz të mirë edukuar dhe me integritet të lartë moral. Nëse e kundërta dëshmohet ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është zero”, tha ai.

 

Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit dhe me nivel të ultë të dënimeve për këto raste./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *