Bajamet janë inde limfatike që ndodhen në fyt dhe kanë rol mbrojtës për organizmin. Ato ndihmojnë në kapjen dhe eliminimin e baktereve, viruseve dhe substancave të dëmshme që hyjnë në trup përmes gojës dhe hundës. Sipas mjekëve, këto struktura janë të njohura që në lashtësi, ndërsa mjeku i famshëm Galeni i ka përshkruar si pjesë të rëndësishme të shëndetit të trupit.
Problemi më i zakonshëm i bajameve është tonsiliti (pezmatimi i bajameve), i cili shfaqet më shpesh te fëmijët, por prek edhe të rriturit. Simptomat përfshijnë dhimbje fyti, temperaturë, vështirësi në gëlltitje dhe ënjtje të gjendrave në qafë. Në shumicën e rasteve shkaktohet nga viruse, ndërsa ndonjëherë nga baktere si streptokoku, dhe mund të trajtohet me ilaçe ose antibiotikë.
Ekzistojnë forma të ndryshme të tonsilitit, si akut dhe kronik. Tonsiliti akut shfaqet papritur dhe zakonisht është më i fortë, por kalon brenda pak ditësh ose javësh. Ndërsa tonsiliti kronik është një inflamacion afatgjatë që mund të shkaktojë episode të përsëritura dhe shpesh lidhet me infeksione të pashëruara, duhanin, ndotjen apo alergjitë. Në disa raste kërkohet edhe ndërhyrje kirurgjikale.
Përveç tonsilitit, problemet e bajameve përfshijnë edhe formimin e gurëve të bajameve, të cilët mund të shkaktojnë erë të keqe të gojës dhe dhimbje, si dhe hipertrofinë e tyre (zmadhimin), që mund të sjellë vështirësi në frymëmarrje, gërhitje dhe apne gjatë gjumit. Këto gjendje trajtohen me ilaçe, ndërsa në raste të rënda mund të kërkohet heqja e bajameve.
Operacioni i heqjes së bajameve (tonsilektomia) rekomandohet kur infeksionet përsëriten shpesh ose kur bajamet shkaktojnë probleme në frymëmarrje dhe gëlltitje. Ai kryhet me anestezi të përgjithshme dhe zgjat rreth 30 minuta, duke përdorur teknika të ndryshme si kirurgjia klasike, diatermia, lazeri ose radiofrekuenca. Pas ndërhyrjes, pacienti duhet të pushojë dhe të ndjekë udhëzimet e mjekut për rikuperim të sigurt.





