Artistët e Ansamblit po bëhen gati të sjellin për publikun një koncert homazh kushtuar një prej figurave të njohura të muzikës qytetare tiranase, Muharrem Gurra.
Koncerti premierë, me titull “Kur dy zemra dashurohen”, vjen si një bashkëpunim mes familjes së artistit dhe Ansamblit Kombëtar, duke sjellë në skenë një ndërthurje mes traditës dhe interpretimit bashkëkohor.
Në këtë projekt marrin pjesë disa prej emrave të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Merita Halili, e cila rikthehet pas disa vitesh mungesë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani dhe Artan Bakija, ndërsa në piano interpreton Elvina Gurra.
“Kënaqësi për mua dhe falënderoj shumë familjen Gurra për këtë ftesë që më bënë, në nder të babait të tyre dhe legjendës Muharrem Gurra. Jam shumë i lumtur që do të interpretoj këngët e tij dhe mendoj që edhe brezi i ri këtu duhet të mësojë njëherë këngën e tij, këngën e vet shqiptare, dhe duhet ta ruajë të pastër, ashtu siç e kanë ruajtur brezat përpara meje, edhe unë, edhe të tjerët”, tha këngëtarja Merita Halili.
Sipas drejtuesit artistik të Ansamblit, Sokol Marsi, ky koncert synon të risjellë në vëmendje vlerat e muzikës qytetare dhe të ruajë trashëgiminë artistike.
“Koncepti artistik i kësaj shfaqjeje është të shkojë përtej formatit të zakonshëm, përtej këngëve dhe valleve. Ne e sjellim Gurrën atë natë edhe përmes inserteve, ku do të pasqyrohet aktiviteti i tij dhe mënyra se si ka nisur marrëdhënia me publikun. Kështu, publiku do të ketë mundësinë të njihet më thellësisht me jetën, veprimtarinë dhe këngëtarinë e këtij artisti të madh”, Sokol Marsi, drejtor artistik i ansamblit.
Me regjinë e Ada Gurrës, koncerti do të mbahen në datat 10 dhe 11 prill, në orën 20:00, në sallën e TKOB.





