Subscribe

Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën drejtimin e qeverisë Kurti 2, duket më i pasigurt se kurrë. Edhe pse është paralajmëruar një takim mes palëve në muajin qershor, ende nuk është e qartë agjenda.

 

Nga njëra anë Albin Kurti ka deklaruar se do të jetë vetëm një takim me presidentin serb, ndërsa ky i fundit, mohon me këmbëngulje shanset për njohje të pavarësisë.

 

Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu shprehet se nuk do të ketë ngut, por mirëpërgatitje të temave që do të hidhen në tryezën e bisedimeve.

 

“Duhet ta kemi parasysh se për çdo fazë të re të dialogut duhet të ketë një dakordim paraprak mbi agjendën dhe pikat e diskutimit. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë gatishmërinë e tij për një takim gjatë muajit qershor, kurdo që përcaktohet përfundimisht do të bëhet publike”, tha Kryeziu.

 

Ndërkohë, ekspertët juridikë vlerësojnë se çështjet teknike e ngadalësojnë procesin dhe vendosin në hije ato madhoret, sikurëse është njohja reciproke.

 

“Dialogu duhet të konceptualizohet rreth disa temave kryesore. Nuk kemi nevojë për secilën temë teknike të hapim tani me Serbinë, pasi ato mund të trajtohen pasi Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën dhe mund të trajtohen në bazë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Kështu që më mirë është të fokusohemi tek pjesët më të mëdha, siç janë personat e pagjetur, dëmet e luftës, integrimi i serbëve brenda sistemit kushtetuese dhe sigurisht njohja reciproke.”

 

Brukseli zyrtar i ka shtuar përpjekjet për rillimin e dialogut mes palëve, por kryeministri Albin Kurti kërkoi kohë për t’u përgatitur dhe koordinuar me spektrin politik në vend. Konsultimet me opozitën nisin javën e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *