Shqipëria do të ketë përballë nesër Bjellorusinë në sfidën e vlefshme per Ligën e Kombeve.
Në pragë të sfides tekniku Reja u shfaq optimist përpara kamerave dhe shprehet se ka besim tek lojtarët.
“Objektivi është të fitojmë, mundësisht grupin. Tani të shohim gjendjen fizike se lojtarët tanë nuk e kanë nisur ende kampionatin ndërsa Bjellorusia është në mes të aktivitetit. Gjatë javës i kam parë mirë. Nuk di nëse do të mund të përballojmë 90 minuta, por një orë po, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Shqipëria ka punuar mirë. Kemi disa të rinj që kanë cilësi që mund të vlejnë për të ardhmen. Stërvitja është diçka tjetër, ndeshja është diçka tjetër. Ngelet për t’u parë si do të reagojë skuadra. Jam i kënaqur me atmosferën dhe përkushtimin në stërvitje. Skuadrën bjelloruse e njoh, e kam studiuar.”
Tekniku italian nuk la pa përmendur dhe emra konkretë, por sa i përket formacionit titullar nuk ka vendosur akoma.
“Nuk do të bëj eskperimente, do të luajnë lojtarët që kanë luajtur zakonisht dhe kam besim te garda e vjetër. Hysaj në treshen e mbrojtjes? Hysaj vrapon shumë dhe duhet në krahun e djathtë. Ka luajtur te Napoli edhe në të majtë dhe ka shënuar gol që nuk është detyra e tij. Në mbrojtjen me 3 është më i lirë. Dyshja sulmuese? Kam konsideratë për Cikalleshin si dhe për Sadikun që ka një raport të mirë me golin. Është gjithashtu Manaj si dhe Balaj që ka shënuar 3 gola disa ditë më parë. Nuk kam probleme në sulm, por në mbrojtje. Biseda me Presidentin Duka? Me Presidentin folëm për situatën e pazakontë që po kalojmë. Shqetësohem se kemi vetëm tre zëvëndësime në dispozicion, jo pesë sicc ka ndodhur në nivel klubesh”.
Kapiteni Elseid Hysaj është i vetdijshëm për forcën e kundërshtarit, por siç mbrojtësi thotë skuadra do të futet në fushë vetëm për tre pikë.
“Nuk jam në 100% pasi një javë kam që nisa stërvitjen. Ky do të jetë problemi jonë, pasi forma fizike nuk është shumë mirë. Nuk e kam problem të luaj me 3-5-2 në kombëtare sepse kam provuar shumë pozicione me klubin dhe kombëtaren. Me eksperiencën që kam e kuptoj sesi duhet të pozicionohem dhe përshtatem. Për ne është e rëndësishme që këtë rrugëtim në Kupën e Kombeve ta nisim mirë që në ndeshjen e parë. Duhet ta fillojmë mirë. Jemi gati për të luftuar për 3 pikë.”
Shqipëria do të përballet nesër me Bjellorusinë në transfertë, sfidë kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ndërsa 3 ditë më pas do të presin Lituaninë në Tiranë.





