Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesat e anëtarëve të grupit kriminal të vëllezërve Çopja duke lënë në fuqi masat e sigurisë që u miratuan nga Shkalla e Parë.
Të arrestuarit e operacionit “Plumbi i artë 2”, që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga Franc e Hajdar Çopja nga Elbasani kundërshtuan masat e sigurisë, mes të cilëve bënin pjesë edhe ish gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu që ndodhet në arrest shtëpie.
Ish-gjyqtarja akuzohet për ‘Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.
Më 29 korrik, GJKKO firmosi 33 masa sigurie, nga të cilat 13 u ekzekutuan ndërsa, 2 rezultojnë të arrestuar më parë jashtë Shqipërisë.
Shtrirja e tyre sa i takon trafikut të drogës ishte në Europë dhe më gjerë se kaq pasi kishin arritur të fuqizoheshin ekonomikisht.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milion eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve të zbardhura.