Subscribe

Mes pikëpyetjesh dhe kundërshtish, mazhoranca miratoi ligjin e zonave të mbrojtura.  Ministrja e mjedisit Mirela Kumbaro duke ju përgjigjur interesit të medias hodhi poshtë akuzat se do të ndërtohet në sipërfaqet e mbrojtura. Por sipas saj projekte elitare për turizmin, mes kriteresh të forta kontrolluese do të zhvillohen në nënzonat e miratuara.

“Nuk preken sipërfaqet e territorit të zonave të mbrojtura. Vetëm në ato nënzona të parashikuara, për aktivitetet turistike, agroturistike dhe eko-turistike, brenda kritereve, do të jetë e mundur të zhvillohen me 3-4 filtra shumë strikte”, tha Kumbaro.

Njëkohësisht ministrja mohoi qw lajmet për projekte zhvilluese brenda parkut të Divjakës të jenë të vërteta.

“Nuk ka projekt të tillë në Divjakë. S’ka asnjë projekt që të ketë ardhur në zyrat e ministrisë apo qeverisë. Janë të pavërteta”, tha Kumbaro.

Por Jorida Tabaku e lidh këtë ligj me atë të investimeve strategjike, që sipas saj do të ndërtohet brenda këtyre sipërfaqeve.

“Me ligjin e zonave të mbrojtura qeveria tregoi se s’ka asnjë limit, nuk njohin asnjë parim. Shkelën legjislacionin e BE-së dhe do ta shihni që janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura. Ky ligj është korruptiv dhe tregon kapjen e shtetit”, tha Tabaku, deputete e PD.

Edhe delegacioni i BE në Tiranë reagoi pas miratimit të këtij ligji. BE thotë se do ta ndjekë me vëmendje këtë nismë ligjore nëse është apo jo në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

Por këtij reagimi i është kundërpërgjigjur kryeministri Edi Rama në rrjetin social X. Sipas tij Shqipëria është sot e para në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e miratuara, forcojnë bazën për një zhvillim të qëndrueshëm  në harmoni me natyrën-shkruan Rama./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *