Subscribe

Ne daljen e tij para mediave, pas përfundimit te misionit te Guardia Di Financa per monitorimet e parcelave te hashashit, Ministri i Brendshëm iu drejtua qytetarëve, duke i kërkuar të mos mbjellin drogë pasi siç tha ai, kjo nuk lufton varfërinë. Sipas Tahirit, gjatë këtij viti në Shqipëri është kultivuar 30% më pak kanabis se në 2013, ndërkohë që policia ka shkatërruar mbi 99% të hapësirës së identifikuar, përkundër vitit 2013, kur policia shkatërronte vetëm 7%.

“Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i con te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërinë. Madje mendoj se trafikantët e vërtetë për tu gjykuar, janë ata që kanë qënë në qeveri e pushtet, e që në 20 vitet e shkuara, kanë gënjyer shqiptarët vazhdimisht, duke u fryrë vetë e duke përfituar nga varfëria që mbillnin në shtëpiat tona”.

Ministri i Brendshëm pranoi se vendi ka një problem me bimen narkotike te kanabis-satives, por që sipas tij është shumë më i vogël se në kohën që Shqipëria qeverisej nga Partia Demokratike.

“E në qoftë se në të kaluarën kishim një problem më të madh për të cilin askush nuk lëvizte as gishtin për ta zgjidhur, sot kemi një problem, ndonëse më të vogël, të cilin ne po e përballim, me transparencë, për ta zgjidhur në mënyrë definitive, së bashku me luftën kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër pabarazisë dhe padrejtësisë që Shqipërisë ia ulën kokën në 20 vitet e kaluara”.

Ministri i Brendshëm u ndal gjate tek akuzat e përditshme te eksponentëve te opozitës, duke theksuar se qëllimi i vetëm i tyre ka qene përbaltja e policisë se shtetit. Teksa inkurajoi punën e uniformave blu, Tahiri ironizoi dhe deklaratën e nje dite me pare te selisë blu.

“Po dje, PD për dy të arrestuar të Policisë, doli dhe akuzoi deputetin Xhemal Qefalia si të lidhur me drogën, dhe pse e vetmja gjë që lidhte deputetin e PS me drogën, ishte rastësia e mbiemrit të njëjtë me të arrestuarit. Kjo është njëlloj sikur Sali Berisha dhe Lulzim Basha të presin urime zyrtare në selinë e PD pse pret Etrit Berisha dhe shënon Migjen Basha”.

Ministri i beri thirrje opozitës te vendose nëse është me policinë ne kete beteje, apo krimin dhe trafikantet.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *