14 janari i vitit 1990 do të mbahet mend si dita që shqiptarët “vranë frikën” dhe tentuan të heqin bustin e Stalinit në kryeqendrën e veriut. Prej dy vitesh, përkujtimi i kësaj date në Shkodër nuk kryhet me organizime zyrtare, siç ka ndodhur për tri dekada. Protagonistët e asaj dite nuk e fshehin zhgënjimin për atë që ka prodhuar politika shqiptare në gjithë këto vite.
E ideuar nga dy të rinj shkodranë, Rin Monajka dhe Dedë Kasneci, revoltës së parë antikomuniste iu bashkuan qindra qytetarë të Shkodrës, duke dhënë kështu një mesazh të qartë lirie dhe ndryshimi. Kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pas demonstratës, 10 persona u dërguan për gjykim për kryerjen e krimeve kundër shtetit dhe u dënuan.
/vizionplus.tv





