E shtunë, 3 Tetor 2026 Film TV deri në 05:11 Në vijim ora 05:11: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Kujtohen viktimat e dhunës seksuale, Kosova i kërkon ndërkombëtarëve ti bëjnë presion Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ministra, deputetë e të mbijetuar të dhunës seksuale kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat” në ditën për të “Mbijetuarit e dhunës seksuale”. Haxhiu ka thënë se janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo i bëri thirrje ndërkombëtarëve t’i bëjnë presion Serbisë.

“Vasfije Krasniqi, sikurse edhe Shyrete Tahiri, sikurse edhe Martë e Tunaj, kanë folur për këto krime dhe kjo dëshmon që këta nuk janë fajtorë. Fajtorë janë kriminelët që i kanë kryer këto krime. Prandaj unë thërras sot edhe njëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini, Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës, por po ashtu edhe e terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes.”

Reklamë

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për krimet.

“Bëj thirrje viktimave që të na bashkëngjiten sa më shumë, të dalin e të flasin publikisht, por gjëja kryesore është të kërkojnë drejtësi. Kjo është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur të kërkoj drejtësi kur i kam pasur vetëm 17 vjet, pse të mos kërkojnë edhe sot të gjithë drejtësi.”

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra. Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë