Sheqernat e shtuara që gjenden në ëmbëlsirat e Krishtlindjeve mund të jenë përgjegjëse për proceset metabolike, inflamatore dhe neurobiologjike të lidhura me depresionin, sugjeron një studim nga një ekip psikologësh klinikë në Universitetin e Kansasit.

Studiuesit arritën në lidhjen e mësipërme duke analizuar një gamë të gjerë studimesh mbi pasojat fizike dhe psikologjike të konsumimit të sheqernave të shtuara, duke e krahasuar atë me abuzimin me alkoolin.

“Ka prova që një sasi e caktuar e alkoolit në ditë është e sigurt dhe mund të ketë përfitime për disa njerëz. Pijet alkoolike kanë kalori, jo ushqyese dhe shumë toksike në sasi të mëdha”, thotë studimi.

Sheqernat, të cilët janë të ngjashëm në natyrë me alkoolin, duhet të shmangen nga njerëzit në depresion dhe të zëvendësohen nga një dietë e shëndetshme.

“I kombinuar me nivelet e ulëta të diellit në dimër, konsumi i lartë i sheqerit mund të ketë një ndikim negativ dhe të rëndësishëm në shëndetin mendor”, theksojnë studiuesit.

“Për shumë njerëz, ekspozimi i reduktuar ndaj rrezeve të diellit gjatë dimrit ndikon në ritmet e tyre biologjike, duke bërë që 5-10% e popullsisë të përjetojë episode të depresionit klinik”, shpjegon Stephen Ilardi, profesor i asociuar i Psikologjisë Klinike në Universitetin Amerikan. Përveç kësaj, këto simptoma të “depresionit dimëror” mund t’i bëjnë njerëzit të konsumojnë gjithnjë e më shumë ëmbëlsira.

Moti i ftohtë rrit dëshirat për sheqer

“Dëshira për ëmbëlsirat është një simptomë e depresionit dimëror”, shton doktor Ilardi, duke iu referuar të paktën 30% të popullsisë që shfaq simptoma depresioni dhe vazhdimisht dëshirojnë karbohidrate.

Një arsye kryesore për këtë është se sheqeri është një nxitës i humorit dhe për këtë arsye njerëzit me depresion përdorin ëmbëlsirat për një zgjidhje të përkohshme.

“Ëmbëlsirat veprojnë si drogë, ato kanë një efekt të menjëhershëm në humor, por, në sasi të mëdha, ato mund të kenë pasoja katastrofike për humorin e një personi, si humbja graduale e gëzimit, një rritje e inflamacionit fizik dhe pesha e trupit”, shpjegon studiuesi.

Si lidhet konsumimi i sheqerit me depresionin

Studiuesit zbuluan se inflamacioni i brendshëm, si rezultat i një diete të pasur me sheqer, lidhet me shëndetin mendor dhe episodet depresive.

“Një numër i madh pacientësh me depresion kanë nivele të larta të inflamacionit sistemik”, shpjegon doktor Ilardi. “Kur mendojmë për sëmundjet inflamatore, mendja jonë shkon te kushte si diabeti dhe artriti reumatoid – sëmundje me një nivel të lartë të inflamacionit sistemik. Ne nuk e klasifikojmë depresionin si të tillë, por rezulton se është me të vërtetë, për të paktën gjysmën e popullsisë në depresion. Përveç kësaj, ne e dimë se hormonet inflamatore mund ta shtyjnë trurin në një gjendje depresioni intensiv. Pra, një tru i irrituar është zakonisht një tru në depresion dhe sheqernat e shtuara kanë një efekt pro-inflamator në trup dhe tru.”

Studiuesit gjetën gjithashtu një lidhje midis konsumit të sheqerit dhe mikroorganizmave patogjenë në trupin e njeriut.

“Përveç atyre të dobishmeve, ka edhe disa mikroorganizma patogjenë, thjesht parazitarë, të cilët përfitojnë nga prania e sheqernave dhe mund të prodhojnë kimikate që shkaktojnë ankth, stres dhe depresion”, shpjegon studiuesi.

Sipas doktor Ilardit, një dietë e pasur me ushqime bimore dhe acide yndyrore omega-3 dhe ushqime të përpunuara minimalisht do të siguronte përfitim psikologjik optimal.

Për sa i përket sheqerit, ai rekomandon kujdes gjatë gjithë vitit – jo vetëm gjatë festave – dhe konsum ditor të sheqernave të shtuara jo më shumë se 25 gramë, sipas udhëzimeve të Shoqatës Amerikane të Zemrës. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *