Kryedemokrati Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi firmosën këtë të hënë dokumentin me 13 pika, i cili zyrtarizon koalicionin paszgjedhor mes PD-së dhe LSI-së.
Marrëveshjen me sloganin “Shqipëria, shtëpia që fiton” përmban 13 pika, me objektiv nxjerrjen e vendit nga kriza që ka shkaktuar kryesisht pandemia e koronavirusit.
Në dokumentin e firmosur, theksohet se përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve.
Në marrëveshje thuhet se PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI) dhe se përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.