Kryevepra e Pablo Picassos e vitit 1932, Femme a la Montre (Gruaja me orë), është shitur për 139 milionë dollarë, sipas qendrës për ankande Sotheby.

 

Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë që është shitur nga ky artist spanjoll.

 

Por, Femme a la Montre (Gruaja me orë) është bërë vepra e shitur më së shtrenjti në ankand këtë vit.

 

Në të artisti e ka portretizuar Marie-Therese Walter, modelen franceze me të cilin ka pasur lidhje dashurie, dhe e ka pasur frymëzim edhe për piktura tjera.

 

Fillimisht piktura është vlerësuar 120 milionë dollarë, para se të vendosej në shitje.

 

Kjo pikturë e artistit spanjoll ka qenë më parë në pronësi të koleksionistes së artit Emily Fisher Landau, e cila e ka blerë atë më 1968.

 

Vepra tani është blerë prej një blerësi anonim.

 

Femme a la Montre, është portret i Walterit, e ulur në një karrige që ngjan me fron mbretëror dhe e ka një prapavijë të kaltër.

 

E njohur si “muza e artë” e Picassos, Walter ka qenë 17-vjeçare, kur është takuar me Piccason 45-vjeçar në Paris, dhe e kanë nisur një lidhje sekrete, pasi ai ka qenë ende i martuar me Olga Khokhlovan, balerinë ukrainase.

 

Piktura që është shitur më së shtrenjti në autorësi të Piccasos është Gratë e Algjerit, në vlerë të 179.3 milionë dollarëve, më 2015.

 

I lindur në Mallaga më 1881 dhe i rritur në Barcelonë, Picasso është zhvendosur në Paris më 1904, dhe është bërë një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit 20.

 

Ai i ka pasur katër fëmijë dhe ka vdekur në jug të Francës më 1973, në moshën 92-vjeçare.

 

Ndonëse trashëgimia e tij kreative nuk është vënë kurrë në dyshim, në vjetët e fundit rriten dilemat për sjelljen e tij.

 

Ai është akuzuar për qasje mizore dhe shtrënguese./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *