Kryesimi i presidencës së BE nga Gjermania/ Meta: Një mundësi për hapjen e negociatave

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur nisjen e kryesimit të Presidencës gjermane në krye të Këshillit Europian për gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Në një kohë kur çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë vendosur në axhendë, kreu i shtetit shkruan se ka pritshmëri të mëdha se gjatë kësaj periudhe do të nisin negociatat për anëtarësimin në BE.
“Sot Gjermania nis kryesimin e Presidencës së Bashkimit Europian. Mirënjohës për vendosjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në krye të agjendës europiane. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur kurrësesi! Shqipëria duhet të zbatojë të gjitha kushtet e vendosura sa më parë. Takimi i djeshëm me Kryetarin e Parlamentit ishte një hap i parë optimist për vijimin e emërimeve të Gjyqtarëve të tjerë Kushtetues. Shpresoj që kjo të frymëzojë një qasje të ngjashme gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat ku nevojiten reforma kyçe. Pritshmëritë për nisjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane janë të larta. Nuk do të kursej asnjë përpjekje për Shqipërinë Europiane”, shkruan Meta.




