Tirana ka nisur përgatitjet për vitin 2025, vit që do t’i japë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj priti një delegacion të përfaqësuesve nga Unioni për Mesdheun, me të cilët diskutoi mbi detajet e organizimit të aktiviteteve.

“Këtë vit ne drejtojmë B-40, që është rrjeti më i madh i bashkive në Ballkan, dhe vitin tjetër do të jemi së bashku, me shpresë edhe me Konventën e madhe të të gjithë rrjetit të fondacioneve ‘Anna Lindh’. Jam vërtet mirënjohës që i keni besuar Tiranës këtë titull. Do bëjmë maksimumin që, bashkë me Aleksandrinë, të kthehemi një urë e fortë në Mesdhe. Eksperienca e shumë artistëve tanë, duke filluar nga kryeministri artist, deri tek shumë artistë, që na kanë nderuar në bienale e ndryshme apo që janë edhe artistë lokalë, që po punojnë me shkollat e mesme, duke futur kulturën e artit që në një moshë të re”,  tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana po shton numrin e institucioneve të artit në kryeqytet.

“Po punojmë për një teatër të ri, po mbaron Teatri i Kukullave, kemi filluar me disa kinema, si “Agimi” dhe “Maks Velo”, që janë akupunturë në cepa të ndryshëm të qytetit, për të mos u përqendruar vetëm në qendër të Tiranës. Besoj që do të kemi mundësi që edhe bota të njohë më shumë Tiranën dhe Shqipërinë, dhe që gjithë energjia e artistëve lokalë, bashkë me eksperiencën fantastike të rrjetit që ju sillni, të prodhojë një histori suksesi”,  u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj shprehu bindjen se edhe rritja e numrit të turistëve do të bëjë që bota të njohë më shumë Tiranën dhe Shqipërinë duke prodhuar një histori suksesi. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *