Kryeplaku ndez zjarr në tokën e tij, por i bën gjëmën bashkëfshatarëve

Kryeplaku i një fshati në Urën Vajgurore është vënë në pranga me akuzën e zjarrvënies së qëllimshme.
Forcat e rendit kishin marrë informacion se në fshatin Skrevan një person kishte vënë zjarr dhe zjarri kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe kullosore si dhe qindra rrënjë ullnj. Pasi shkuan në vendngjarje, uniformat blu kanë identifikuar dhe vënë në pranga autorin e zjarrvënies shtetasin L. I, banues në fshatin Skrevan, Ura Vajgurore me detyrë Kryeplak i fshatit Skrevan.
Ai kishte ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Skrevan dhe si pasojë e erës së fortë zjarri ka avancuar më tej deri në fshatin Slanic, Ura Vajgurore.
Për pasojë janë djegur rreth 500 rrënjë ullinj dhe rreth 30 ha sipërfaqe kullosore dhe me pemtari të ndryshme pyjore dhe frutore.




