Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç i dhanë fund takimit të së hënës  në bruksel pa rezultat. Të dy kryenegociatorët shfaqën qëndrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet tyre.

 

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takim është diskutuar gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit të arritur në Bruksel. Ai tha se pala serbe në këto diskutime ishte e interesuar vetëm për me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

 

BESNIK BISLIMI

KRYENEGOCIATOR I KOSOVES PER DIALOGUN

“Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në aneksin e implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga Bashkimi Evropian që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në ëebfaqen e tyre”

 

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Prishtina nuk ka dashur të japë përgjigje konkrete për çështje të rëndësishme.

 

PETAR PETKOVIÇ

KRYENEGOCIATOR I SERBISE PER DIALOGUN

“Kur duhet të kishim diskutuar për çështje të rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e personave të pagjetur pas miratimit të deklaratës për personat e zhdukur, por edhe çështje të tjera të rëndësishme , zoti Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”

 

Takimi i së hënës ishte i pari që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve në fillim të muajit në Bruksel, kur u miratua deklarata për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe u prezantua draft i parë për formimin e asosiacionit.

 

Me 18 mars në Ohër, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *