Kryeministrja britanike, Theresa May ka vendosur Stephen Barclay në postin e  Sekretarit të ri për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Barclay, i cili ka qenë mbështetës i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka shërbyer më parë si ministër i Shëndetësisë dhe Kujdesit Shëndetësor.

 

Në këtë post ai zëvendëson Dominic Raab, i cili ka dhënë dorëheqje të enjten, pas publikimit të planit të kryeministres May për Brexit. Zëdhënësi i kryeminstres ka thënë se Barclay do të vazhdojë përgatitjet për marrëveshje apo jo rreth Brexitit në pozitën e tij të re.

 

Ky njoftim ka ardhur pasi Amber Rudd është emëruar në pozitën e re si Sekretare për Punë dhe Pensione, duke zëvendësuar Esther McVey, e cila po ashtu është dorëhequr pas prezantimit të planeve të kryeministres May për Brexit.

 

Barclay është personi i tretë që emërohet në pozitën e Sekretarit për Brexit prej kur është krijuar kjo pozitë, meqë Raab dhe David Davis, kanë dhënë dorëheqje pas publikimit të strategjisë së May për Brexit në periudha të ndryshme.

 

Kabineti i kryeministres May është pajtuar për planin e saj fillestar për Brexit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *