Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e hënë me një takim në qytetin e Vlorës.
Për 1 orë e 30 minuta, kreu i qeverisë mblodhi deputetët e qarkut si dhe përfaqësues nga bashkia e qytetit bregdetar.
Bëhet me dije fokusi i takimit ishte te projektet zhvillimore si dhe sezoni turistik. Burimet bënë të ditur se kryeministri u la porosi të pranishmëve për një koordinim mes pushtetit vendor dhe institucioneve qEndrore, për përfundimin në kohë të projekteve.
Mësohet se Rama është shprehur se qytetit të Vlorës i është kushtuar një vëmendje e veçantë vitet e fundit përmes investimeve në infrastrukturë, turizëm dhe zhvillim urban.
Ai gjithashtu nënvizoi se këtë vit nuk duhen hasur problematika që mund të cënojnë mbarëvajtjen e sezonit prandaj dhe kërkoi që strukturat të jenë të vëmendshme për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët.
Kryeministri kërkoi nga kryetarja e bashkisë që për çdo investim apo projekt të ri në qytet të kërkojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ministrive përkatëse.
Sipas tij, ky koordinim është i domosdoshëm për të përshpejtuar realizimin e projekteve dhe për të garantuar që ato të përfundojnë brenda afateve të parashikuara.
Gjatë takimit me dyer të mbyllura u cek dhe çështja e hapësirave publike, për të cilën rama ka nënvizuar se përgatitja në kohë e infrastrukturës dhe e shërbimeve është thelbësore për të përballuar fluksin e vizitorëve që pritet gjatë muajve të verës në Vlorë dhe në zonat përreth.





