Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, u bëri thirrje investitorëve në samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që të investojnë në Ballkanin Perëndimor.

 

“Kroacia do të bëjë gjithçka të mundur për të ndihmuar fqinjët juglindorë dhe komuniteti i investimeve duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të mirën e këtyre vendeve dhe për të mirën e të gjithë Bashkimit Evropian”, tha Plenkoviq.

 

Plenkoviq, si kryeministër i vendit që mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, dhe Suma Chakrabarti, president i BERZH-it, hapën të hënën në Londër samitin e katërt të investimeve të BERZH-it në Ballkanin Perëndimor.

 

Në të po marrin pjesë edhe kryeministrat e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore: Albin Kurti i Kosovës, Edi Rama i Shqipërisë, Oliver Spasovski i Maqedonisë së Veriut, Ana Bërnabiq e Serbisë, Dushko Markoviq i Malit të Zi, dhe Zoran Tegeltija i Bosnje dhe Hercegovinës.

 

“Ne jemi vendi që e njohim më së miri këtë rajon dhe që u ofrojmë mbështetje këtyre vendeve, për të përshpejtuar rrugën e tyre drejt BE-së”, tha Plenkoviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

 

Presidenti i BERZH-i, Chakrabarti, paralajmëroi nënshkrimin e gjashtë projekteve të reja për Ballkanin Perëndimor.

 

BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj në rajon, ku deri më tash ka investuar 13 miliardë euro./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *