Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për anulimin e vizitës së tij në SHBA, për shkak se Ambasada Amerikane refuzoi ta pajisë me vizë.

 

Gjatë një konference për shtyp, Haradinaj pranon se zyra e tij ka aplikuar për të marrë vizë, por që nuk ka marrë ende përgjigje.

 

Një ditë më parë, Kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s, tha për Radion Evropa e Lirë se Haradinaj anuloi vizitën e planifikuar më 11 janar, ku do të merrte pjesë në një aktivitet të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale.

 

Por nga zyra e kryeministrit mohuan  që Ambasada në Prishtinë kishte refuzuar pajisjen me vizë të Haradinajt, duke sqaruar se pati një vonesë në aplikim.

 

Një përplasje e tillë vjen në kohën kur SHBA dhe Brukseli kanë kërkuar me forcë që klasa politike në Kosovë të mos prekë gjykatën special për  krime lufte.

 

Pak kohë më parë 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës firmosën nismën për shfuqizimin e ligjit për gjykatën special, duke gjetur edhe mbështetjen e presidentit dhe kryeministrit. Por ata u paralajmëruan se çdo veprim i mëtejshëm do të sillte izolimin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *