E premte, 2 Tetor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Kryeministri Edi Rama për Vizion Plus: Veliaj nuk do të shkarkohet nga detyra

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se nuk ka ende një aktakuzë konkrete për korrupsion.

Për gazetarin e Vizion Plus, Ermal Qori, Kryeministri ka thënë se arrestimi i Veliajt, bashkë me ndalimin e bashkëshortes së tij, ka krijuar dyshime të arsyeshme për një hetim jashtë standardeve kushtetuese dhe demokratike.

Reklamë

Rama ka nënvizuar se është ende herët për të dalë në përfundime, duke theksuar nevojën për një reflektim të thellë mbi këtë ngjarje, si dhe një hetim të thelluar për provat që mbështesin akuzat. Në fund, ai ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të shkarkojë Veliajn dhe se do të vazhdojnë të mbeten garancia për drejtësinë dhe transparencën.

“E para, nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, po jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për te dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë.

E dyta, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar.

Ky fakt tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si palë në proces po edhe për ne si garantë të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz.

Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shume mirënjohës juve dhe cilësdo media që në vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor te akt-akuzës, të hedhë dritë për provat qe e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve.

Si përfundim, përgjigja është që jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë te jemi garantë te palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Ciladoqoftë ajo”, thuhet në reagimin e Kryeministrit Edi Rama.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë