Subscribe

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka denoncuar sot para medias një skemë evazioni, e cila sipas saj përfshin 24 kompani dhe vlera total e evazionit është 189 milionë dollarë.

 

Kryemadhi ka shpjeguar se gjatë verifikimit të çështjes së inceneratoreve, LSI ka konstatuar se janë 24 kompani të cilat kanë kryer blerje dhe shitje me kompanitë e inceneratorëve.

 

Por sipas Kryemadhit, këto kompani kanë kryer evazion fiskal edhe për një sërë kompanish të tjera.

 

MONIKA KRYEMADHI

KRYETARE E LSI

 

“Janë 3 grupe të cilat funksionojnë. Grupi i parë është kompanitë e inceneratorëve që kanë mbi 30 milionë euro, sidomos inceneratori Tiranës që ka mbi 30 milionë euro evazion fiskal pra, fatura fiktive, që nga këto kompani fiktive kanë blerë sheqer, miell, oriz, vaj për të ndërtuar ato vaskat e betonit që pamë në inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë, kompanitë e ndërtimit që kanë fituar koncesionet e ndërtimit dhe të rrugëve janë ato që kanë marrë 99.99% të tenderave publikë, pjesa kryesore janë kompani që kanë fituar të gjitha punët publike, ku i kanë shërbyer këto fatura për të rritur në mënyrë fiktive shpenzimet po përveç kësaj shërben dhe shërben pasi marrin dhe 20% e TVSH-së.”

 

Kryemadhi ka shpjeguar skemën, e cila sipas shërben për evazion fiskal.

 

“Çfarë kanë ndodhur? Ka ndodhur që në këto kompani funksionojnë, blerje fiktive tek ushqimet. Kompanitë e mëdhaja ushqimore, uji pijshëm, i cili mund të jetë 8 milionë dollarë që është blerë ujë i pijshëm. 6-7 milionë fruta ekzotike. Të cilat janë të ndara në fatura të vogla, nuk blihen me llogari bankare, nuk janë mbi 3 milionë lekë, por janë fatura të cilat janë nën 3 milionë lekë në mënyrë të tillë që lëvizja financiare të mos bëhet nëpërmjet llogarive bankare por të bëhet në KESH. Dhe shitja e produktit beton është bërë me faturë bankare.”

 

Sipas kryetares se LSI për të humbur gjurmët kompanitë rezultonin se më pas u shiteshin pensionisteve nga 94 e 95 vjeç.

 

Ndërsa ka denoncuar këtë skeme, Kryemadhi ka artikuluar një akuzë të fortë edhe ndaj ish-kryetarit të PD Lulzim Basha si përfitues i parave të inceneratoreve.

 

“Sa më shumë hetojmë dosjen e inceneratorëve aq më shumë kuptoj që janë dhe shumë para të paguara të PD e Lulzim Bashës dhe kuptoj si kompanitë e inceneratorëve e koncensionare, që fitonin tenderat e rrugëve, kanë qenë sponsorizuesit kryesorë të aksionit opozitar për ta dështuar të gjithë aksionin në funksion të qytetarëve.”

 

Kryemadhi ka paralajmëruar se të gjitha dokumentet e mbledhura për këtë skemë do t’i depozitojë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar.

 

 

“24 KOMPANI, EVAZION 189 MLN $”

 

KRYEMADHI: VJEDHJE GALOPANTE NGA INCENERATORET DHE FITUESIT E TENDERAVE PUBLIKE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *