Kryemadhi: Teatri si vera, sa më e vjetër, aq më e mirë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ju bashkua artistëve dhe qytetarëve në sheshin e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e kësaj të shtune.
Duke folur për mediat, ajo tha se kjo godinë e teatrit nuk duhet të preket. Kryemadhi u shpreh se zgjidhje do të jetë nëse teatri i ri do të ndërtohet në një vend tjetër.
“Kjo godinë sado e vjetër të jetë, është si puna e verës sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është. Po të duan le të ndërtojnë një teatër të ri, kanë hapësirë sa të duan, ky teatër le të qëndrojë këtu ku është. Unë mendoj që forcat e shumta të policisë janë bërë me kërkesaë të politikës sepse i ka dëshpëruar tërheqja e aktorëve që thonë që ne nuk duam të prishet teatër. Aktorët duan teatër të ri dhe për këtë ka mundësi pafund, është Piramida që është një godinë e stërmadhe, ka edhe ambiente të tjera. Ka qenë një frikë ose një panik përsa i përket tërheqjes që ka ndodhur.”
Ajo u shpreh e habitur sesi drejtësia shqiptare akoma nuk po reagon për vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky vendim, sipas Kryemadhit, është marrë në shkelje të ligjit sepse Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur fare.




