Kryemadhi takim në Lushnje: Do ta mposhtim Ramën
Ndërkohë që kanë mbetur 11 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka vijuar turin e fushatës në qytetin e Lushnjës. Kryetarja e kësaj force, Monika Kryemadhi, tha se LSI do të jetë ndryshimi për Shqipërinë përballë bandave të qeverisë.
“Me Petrit Vasilin, Luan Ramën, me Kejdën, me të gjithë burrat dhe gratë e LSI, do e çojmë deri në fund betejën tonë përballë bandave. Do e çojmë betejën tonë përballë bandave dhe sporteleve të Edi Ramës që do të bëjë pazar jo vetëm me LSI, por me të ardhmen e shqiptarëve.”
Kryemadhi shtoi se qëllimi i LSI-së, është rritja e ekonomisë, turizmit dhe mbështeja për fermërët.
“Qëllimi ynë nuk është të ndërrojmë një parti në pushtet me një parti tjetër në pushtet. Qëllimi ynë është të krijojmë vende të reja pune. Është të krijojmë vende të reja pune me punë të mirëpaguar. Qëllimi ynë është që fermerët e Lushnjes dhe Divjakës të garantojnë shitjen e prodhimit. Qëllimi ynë është që bizneset të lulëzojnë në gjithë Shqipërinë. Qëllimi ynë është që turizmi në Divjakë, në Seman, e kudo të lulëzojë për të krijuar vende pune dhe mundësi të zhvillimit të ekonomisë.”
Sipas saj, zhvillimi ekonomik do të ndikojë ndjeshëm edhe në uljen e largimeve masive të të rinjve shqiptarë.




