Në një takim me banorët në Peqin, Monika Kryemadhi ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama teksa iu bënte thirrje sipërmarrësve që të merrnin punëtorë të huaj.

Duke e konsidruar nëj absurditet, kryetarja e LSI shprehet se Rama ndien neveri për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.

“Absurditeti tjetër pastaj që ky njeri nuk i konsideron më qytetarët e tij, i zëvendëson dhe pa pikë turpi thotë që ne do të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, etj. Jo për çështje racizmi, e as diskriminimi, por si mund të largosh ti njerëzit e tu, qytetarët e tu, fëmijët e tu dhe u thua edhe mos mësoni as shqipen, pra ky njeri ndien neveri edhe për gjuhën shqipe. Ky ndjen neveri për çdo gjë që është shqip. Ndaj ajo që dua të theksoj edhe që është problematike është urrejtja që ky njeri ka për qytetarët e tij, e ka treguar tashmë. Sepse sot qytetarët shqiptarë paguajnë taksa më të larta se ç ‘kanë paguar më parë, sot qytetarët shqiptarë çmimin e energjisë e kanë më të shtrenjtë. Rrogat sot qytetarëve shqiptarë jo vetëm që nuk u janë rritur, por u janë mbyllur bizneset. Sot qytetarët shqiptarë kanë çmimin e naftës më të lartë se kudo tjetër. Sot fermerët shqiptarë hedhin gjithë prodhimin e tyre në rrugë.”

Më pas, ajo kërkoi angazhimin e votuesve përmes një pjesëmarrje të larte në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“25 prilli nuk ka të bëjë thjesht me vajtjen për të votuar për një parti politike apo me një flamur politik. 25 prilli ka të bëjë me pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje. Duke rritur pjesëmarrjen, ajo është një avantazh që njerëzit i përfshin në vendimmarrje, sepse njerëzit nëpërmjet votës ndëshkojnë atë që i ka gënjyer dhe që nuk ka mbajtur premtimet, dhe përsëri nëpërmjet votës vlerësojnë politikanin, individin apo partinë politike që ata i përfaqëson më mirë. Në fakt, problematikat që kanë sot qytetarët janë të jashtëzakonshme. Ne kudo që shkojmë, e fillojmë ditën nga mëngjesi deri në darkë, edhe në këto kushte pandemie, të cilat kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë, ndërkohë që kemi një Kryeministër, i cili ka një urrejtje patologjike për njerëzit e tij, se mjafton të dëgjosh dy deklarata absurde, kriminale, sikurse është e para që kush nuk me voton mua, kush nuk më përkrah mua nuk bën vaksinën, sikur i ka vaksinat e veta ky.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *