Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e sheh vendin në një rrezik të madh nën qeverisjen e Edi Ramës.

 

Në një bashkëbisedim me gazetarët këtë të enjte, Kryemadhi u shpreh se gjendja për shqiptarët do të vijojë të përkeqësohet nëse Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër.

 

Sipas saj, diçka të tillë e tregon edhe padia e tij kundër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

 

“Shqipëria është në një rrezikshmëri të madhe sepse me Edi Ramën rrezikohet çdo ditë e më shumë. Mjafton të shohim se çfarë ndodhi dje, ditën e përkujtimit të viktimave të Reçakut Edi Rama gjeti momentin për të paditur luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dëshmorëve që çliruan Kosovën me gjakun e tyre, në gjykatë. Ky është Edi Rama, mendoni çfarë bën në një moment të tillë dhe çfarë mund tu bëjë akoma më shumë keq shqiptarëve.”

 

Monika Kryemadhi foli edhe për reformën zgjedhore, ku shprehu gatishmërinë e opozitës për ta mbyllur sa më parë këtë proces.

 

Madje kryetarja e LSI theksoi se nuk është e nevojshme të pritet data 15 mars për ta përfunduar reformën zgjedhore.

 

“Për LSI-në dhe anëtarët gjithpërfshirja dhe dialogu politik janë e vetmja rrugë. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të ecim përpara me miratimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore, një nga kushtet e para të Bundestagut dhe këshilli i ministrave të jashtëm. Ne si opozitë e bashkuar jemi në unison sa i takon këtij procesi. S’kemi pse presim 15 marsin nëse është vullneti politik. Opozita është gati për të dhënë rekomandimet e veta që tani. Sa më shpejt të ecim me reformën zgjedhore do të jetë proces pozitiv”

Të martën opozita joparlamentare, ajo parlamentare dhe mazhoranca arritën marrëveshjen që të ulen në një tryezë për të diskutuar për reformën zgjedhore.

 

Opozita kërkon që diskutimet të kryhen jashtë Parlamentit dhe që produkti të jetë gjithëpërfshirës e transparent.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *