Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar shqiptarët. Sipas Kryemadhit, Rama i ka përqendruar energjitë e tij tek përçarja e opozitës dhe dëmtimi i LSI, raporton “Vizion Plus”.

 

 

“Edi Rama rizbuloi për të njëmijtën herë se ai nuk ka asnjë plan për këtë vend. Siç u shpreh dhe vetë në mënyrë të dëshpëruar, i vetmi plan i tij është “çuarja e LSI për skrap”. Nga shërbëtor i shqiptarëve që duhet të ishte, Edi Rama është shndërruar thjesht në një intrigant të rëndomtë politik, që siç e keni parë, më shumë se sa për t’i sjellë vaksinat këtij populli, më shumë se t’u rindërtojë shtëpitë e prishura nga tërmeti shqiptarëve, më shumë se sa t’u rrisë atyre rrogat apo pensionet, mendon vetëm e vetëm si t’i rrëmbejë ndonjë deputet LSI, si të përçajë opozitën dhe si të manipulojë sondazhet nepër mediet e blera, për të ulur të paktën virtualisht rritjen e pandalshme të LSI. Edi Rama është në atë fazë psiqike, kur gëzohet më shumë teksa ndonjë dhëmb i prishur i LSI, fjala bie kalon në kampin mavi, se sa po të marrë vesh se shirat do pushojnë dhe Shqipëria nuk do ketë më përmbytje.”

 

Kryetarja e LSI tha se shqiptarët që duan të shohin diçka ndryshe, duhet të votojnë për LSI në 25 prill.

 

“Ndaj është fare e qartë, kush nuk do që Edi Rama dhe Rilindja e tij e vdekur të vazhdojë të rrijë si kufomë e pakallur në pushtet, siç tha po vetë, deri në 2030, të votojë më 25 prill Lëvizjen Socialiste për Integrim! Kush kërkon rotacion për ndryshim cilësor dhe do të jetë i sigurt për këtë rotacion të votojë më 25 prill LSI! Sa më e madhe LSI, aq më e sigurt dhe aq më i  shpejtë fundi i tij. Aq më i shpejt ndryshimi cilësor që sjell shpresë, punësim dhe mundësi për mirëqenie. Çdo votë për LSI është votë e sigurt për çuarjen e Ramës për skrap”, tha Monika Kryemadhi në “Facebook”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *