Kryemadhi: Protesta e studentëve politike, Ramën do ta rrëzojmë me qetësi e dashuri
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me Komitetin Drejtues të LRI-së së Fierit.
Gjatë fjalës së saj në këtë takim Kryemadhi u ndal te protesta studentore, për të cilat tha se kjo protestë nuk është partiake, por është protestë politike, e cila në thelb të saj ka kërkesat ekonomike, sepse çdo shqiptar pa dallim bindjesh politike ka probleme financiare.
Kryemadhi tha se të gjithë shqiptarët duhet të protestojnë së bashku me studentët, pasi Shqipëria ka nevojë për një qeveri e cila u shërben qyetarëve të saj dhe nuk i vjedh ata.
Kryetarja e LSI-së tha se do të mjaftonte vetëm vlera e koncesionit që qeveria miratoi në heshtje në natën e 31 dhjetorit, për të përgjysmuar tarifat e studentëve.
“Ka ardhur koha për të protestuar për një jetë më të mirë, duhet të protestojmë për një qeveri , e cila ju shërben qytetarëve të saj dhe jo një qeveri që i vjedh qytetarët ë saj. Duhet të protestojmë për 8 kërkesat e studentëve sepse qeveria ose ministrat që ikën, dolën dhe folën për koncesionet që kanë firmosur ditën që i ka shkarkuar Edi Rama, por asnjëri nuk foli për 8 kërkesat e studentëve. 8 kërkesat e studentëve janë shumë të thjeshta, vetëm me 31 Dhjetor, Damian Gjiknuri ka dhënë 58 milion euro koncesion për TEC-in e Vlorës dhe nuk i kushtonte asnjë gjë Edi Ramës mos t’i jepte këto për TEC-in e Vlorës për koncesione. Por le t’ia jepte studentëve dhe u mbyllte kërkesa e parë, ajo që është përgjysmimi i tarifave të studentëve. Nuk është marr njeri me Edi Ramës. Se do fillojnë të merremi dhe ne pastaj me Edi Ramën, me të gjitha çfarë ka bërë Edi Rama, si sillet Edi Rama, çfarë bën, me çfarë merret e tjerë. Pra ka mënyra pa fund për të zgjidhur hallet dhe 8 kërkesat e studentëve që janë shumë të thjeshta, kërkojnë vetëm një vullnet politik dhe dëshirë. Nëse në jemi peng i një kryeministri të çmendur, kjo nuk do të thotë që të lëmë të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, gjithë të ardhmen e Shqipërisë në dorën e një të çmenduri, do ta rrëzojmë me qetësi, pa qetësi, me dashuri, pa dashuri, me angazhim, me protesta, pa protesta, por në dorë të këtij njeriu të çmendur nuk do ta lëmë vendin. ”
Kryemadhi shtoi se jetesa për familjetg e varfera dhe ato të mesme po vështirësohet nga dita në ditë pasi janë rritur taksat lokale, është rritur çmimi i ujit, janë rritur taksat e mjedisit, taksat e rrugëve etj etj dhe ndërkohë pagat sipas drejtueses së LSI, nuk janë rritur fare, ndërsa ekonomia nuk po zhvillohet.
“Vetëm në Shqipëri ndodhin çudira nga më të ndryshmet, sepse kemi një kryeministër, i cili është jo vetëm peng i krimit të organizuar dhe i trafikut, por kemi dhe një kryeministër i cili është dhe peng i sëmundjes së tij mendore. Por ne nuk mund të vazhdojmë më të ngelemi në dorë të një të çmenduri që çdo ditë e më shumë djeg dhe shkatërron vendin, por mbi të gjitha djeg dhe shkatërron shpresat e të rinjve shqiptarë. Shikojmë se si flitet për rritjen ekonomike dhe ku rritja ekonomike për hir të së vërtetës nuk ka ardhur si rezultat i zhvillimit të ekonomisë. Ju e dini shumë mirë që rritja ekonomike është e lidhur shumë me hapjen e vendeve të punës. Pra nëse do të kishim një kryeministër të vërtet, një kryeministër që nuk do të gënjente për këtë lloj rritje ekonomike që ka 4.5% të jeni të bindur që as 40.000 vende pune nuk janë hapur. Që të hapeshin 265.000 vende pune që thotë kryeministri, i binte që rritja ekonomike në Shqipëri të ishte mbi 10%, pra të ishte të paktën me dyshifra.”





