Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Bolzano të Italisë ku ka zhvilluar takime me komunitetin shqiptar që jeton në këtë zonë.

 

Vizita ka ardhur me ftesë të komunitetit shqiptar që jeton e punon në rajonin e Alto Adige.

 

Gjatë kësaj vizite Kryemadhi shoqërohet nga ish-deputetët e LSI-së, Përparim Spahiu e Viktor Tusha si dhe nga Artan Mullaymeri, Anëtar i Këshillit Territorial për emigracionin të Alto Adige pranë prefektit.

 

Ditën e parë të vizitës së saj në Itali, Kryemadhi ka zhvilluar një takim bashkëbisedues me komunitetin nga ku ndau shqetësimet lidhur me situatën politike Shqiupëri si dhe prezantoi strategjinë e LSI për të dal nga kriza dhe për të çuar përpara axhendën itegruese të vendit.

 

“Bashkë me Përparimin, Viktorin dhe me shumë ish-deputetë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Po flas për zonën e Dibrës, ishim në zonën e Kalasë së Dodës, ishim në shumë fshatra të braktisura, kishin vetëm pleq dhe plaka dhe nuk gjeje dot një djalë apo një vajzë të re. Mos flasim më për shërbimet e tjera, mungesa e infermierëve dhe mjekeve që të gjithë po na ikin në Gjermani. 82% e gjimnazistëve të Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria. 70% e fëmijëve në shkollat fillore nuk duan të jetojnë në Shqipëri. Që do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë më mësues, nuk do të ketë më mjek, inxhinier, hidraulik, elektriçist, nuk do të ketë më shofer taksish, nuk do të ketë më njerëz që do të punojnë në administratë. Flisni çdo ditë me familjarët tuaj në Shqipëri, por asnjëri nga ju nuk dëshiron të kthehet. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë. Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij. Përderisa ne të gjithë paguajmë taksa, si nga i pari deri tek i fundit, nuk ka përse sistemi të mos u përgjigjet qytetarëve të tij. Prandaj ne kemi nisur një tur, jo për të dhënë mendimet tona, po më shumë për të dëgjuar. Sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme për t’i dëgjuar njerëzit”, tha Kryemadhi.

 

Gjithashtu në ditën e dytë të vizitës, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim kortezie me Kryetarin e Bashkisë së Bolzanos, Dott. Renzo Caramaschi.

 

Caramachi gjatë takimit shprehu vlerësimet më të larta për komunitetin shqiptar në Bolzano dhe kontributin e tyre në jetën e qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *