Kryemadhi: Nuk qëndrojmë në parlamentin e kapur

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi komitetin drejtues për të vendosur hapat që do të ndiqen në ditët në vijim.
Monika Kryemadhi tha se opozita nuk mund të qëndronte më në nje parlament të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
Gjithashtu ajo është shprehur se me dorëzimin e mandateve deputetët e LSI-së treguan se mandatet e tyre ishin mandate gjaku, ndërsa kryeministrit Edi Rama llumi do t’i kthehet mbrapsh.
“Në fakt, ne si struktura partie i kemi ezauruar të gjitha komunikimet institucionale me mazhorancën dhe me çdo institucion tjetër që ka të bëjë me funksionimin e shtetit. Në të gjitha takimet që kemi bërë në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha bashkitë, me të gjitha strukturat e partisë, ka qenë solid qëndrimi jo vetëm i anëtarësisë, por edhe i qytetarëve, skepticizmi që kishin qytetarët, mosbesimi që kishin qytetarët te loja politike, sepse thonin që gjithmonë politikanët mendojnë për karriget e tyre. Ndërkohë që akuzat ndaj deputetëve të LSI-së apo edhe deputetëve të opozitës,ishin që këta nuk i lënë do rrogat, se kanë hallin e rrogave apo të vetes. Tashmë që LSI, deputetët e saj dhe deputetët e opozitës, të cilët dogjën mandatet me vullnet të plotë, tregojnë edhe njëherë integritetin, besueshmërinë se mandatet e LSI-së, janë mandate gjaku. Përveçse janë mandate gjaku, janë edhe mandatet e atyre qytetarëve, të cilët besojnë te vlerat e demokracisë, besojnë te institucionet, besojnë te shteti dhe besojnë te ligji. Mandatet e LSI-së nuk mund të bëheshin kurrë fasadë e asaj mazhorance që ka grabitur votat. Mandatet e LSI-së nuk mund të bëheshin kurrë fasadë e atyre deputetëve që ju e dini më mirë se kushdo tjetër, që janë mandate jo vetëm të blera me paratë e drogës, por që janë dhe mandate, të cilat kanë rritur numrin e votave të tyre duke vendosur armë në kokat apo mbi fëmijët e çdo votuesi të LSI-së, në mënyrë të tillë për ti kërcënuar apo për ti intimiduar. Tashmë llumi që përdori Edi Rama për të blerë mandatet dhe për të pasur shumicën në Parlament, do ti kthehet mbrapsht, sepse do të mbajë përgjegjësi dhe do të mbajë premtimet e tij, për t’ju dhënë atë që iu kanë premtuar bandave dhe kriminelëve.”




