Kryemadhi: Duhen vetëm pesë ditë për të realizuar prioritetet tona

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se ka nevojë për një kohë të shkurtër në dispozicion për të realizuar pikat e programit të saj elektoral.
Sipas saj, mjafton vetëm vullneti politik dhe dëshira e mirë që prioritetet të bëhen realitet brenda pesë ditësh.
Nga Divjaka, ajo premtoi fermerët do të kenë mbështetje më të madhe kur opozita të vijë në pushtet.
“Ta shesim prodhimin pa e prodhuar akoma, për prodhime që kanë të bëjnë me sallatën, me lakrën, me domaten, me specin, me ato prodhime që i prodhon Divjaka. Nëse ti zhvillon bujqësinë, nëse i jep krah fermerit për të qenë dinjitoz, normal pastaj që të gjitha bashkë ndërthuren me njëra-tjetrën. Ajo që ne kemi diskutuar është karta e fermerit, që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për fermerin në uljen e çmimeve të investimeve në inpute, jo vetëm të pesticidet, por edhe te plastmasi nëse do dojë të bërë sera, të betoni, të hekuri etj.. Po ashtu kemi folur edhe për 5 për qindëshin, ku nëpërmjet formalizimit të tregut shqiptar ti krijon të ardhura në buxhet të shtetit, të cilat përkthehen në kanalizime, vaditje, energji elektrike. Eliminimi i burokracisë është i domosdoshëm. Mungesa e vullnetit politik ka bërë që ne të kemi çmimet më të larta në rajon, qoftë për energjinë, qoftë për naftën, qoftë për rrugët. Ndërsa, nëse ne do të kemi vullnet politik, dëshirë të mirë për i bërë gjërat, atëherë çdo gjë do të jetë ndryshe. Unë e thashë, nuk duhen 5 muaj për të realizuar prioritetet tonë, por vetëm 5 ditë, mjafton të thuash që do ta bëj këtë gjë, dhe ajo bëhet.”




