Kryemadhi dhe e ëma në SPAK, pyeten nga prokurorët për pasurinë
“Nuk jap më dëshmi për prokurorët”, tha deputetja nën hetim, Monika Kryemadhi. Ajo ishte këtë të hënë në SPAK në zbatim të detyrimit që gjykata i ka caktuar për tu paraqitur.
“Nuk flas para prokurorit flas vetëm në gjykatë. Tashmë deklaratat nuk bëhen në prokurori, por vetëm në gjykatë. Se përdorin deklaratat e mia kundër mia. Nuk them se gjykata do ketë barazi shumë të madhe. Por do jetë gjykata e Strasburg. Do paraqesim rekursin. Ajo çka është e rëndësishme, kur ka të akuzuar politikanë në proces gjykimi. Janë disa gjëra që duhen t’i unifikosh”, tha Kryemadhi.
E pyetur nga gazetarët Kryemadhi tha se Ilir Meta është ndikuar nga persona të tretë në deklaratat e tij publike që ka bërë ndaj saj.
“Unë uroj të gjithë njerëzit që e iluminojnë Metën me shpifje të marrin përgjigje në 2025. Siç po e marrin disa. Armiqtë dihen kush janë, ata që kanë folur gjithë ditën e natën kundër Monika Kryemadhit. Humbje nuk i uroj opozitës. Do bëj maksimumin që opozita të fitojë. Nuk mendoj se ky është problemi i shqiptarëve. Deri më 11 maj shumë gjëra do ndryshojnë”, tha Kryemadhi.
Menjëherë pas Monika Kryemadhit në prokurorinë e Posaçme u paraqit edhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, që po ashtu është vënë nën hetim nga SPAK.
“Për çfarë shpjegime të jap se kam shtëpinë time. Jam 80 vjeç nuk kam të drejtë blej një shtëpi unë? Ju nuk keni shtëpi? Nuk merren me ato që shesin copat e shtetit e të popullit, por merren me një plakë. Më kanë futur persona nën hetim për shtëpinë time”, tha Fatime Kryemadhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje nën hetim është edhe ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta që ndodhet në qeli.
/vizionplus.tv




